Koalicioni per pergatitjen e raporteve alternative
Sunday, 11 July 2010

 Shqipëria raporton pranë OKB për të drejtat e grave dhe vajzave ACPAR – Problem mbetet moszbatimi i ligjeve, problemet në punësim, trafikimi në një kontekst të ri, arsimimi, pjesëmarrja në politikë, etj.
- Për herë të parë raporti hije i Shqipërisë mbulon realitetin e grave e vajzave lezbike, biseksuale e transgjinore përmes kontributit të LGBT PRO Albania dhe Aleancës Kundër Diskriminimit - Qeveria shqiptare do të raportojë në 26 korrik në Organizatën e Kombëve të Bashkuara në Nju Jork për masat që ka ndërmarrë nga viti 2004 deri në vitin 2010 në lidhje me zbatimin e Konventës për Eliminimin e cdo forme të Diskriminimit të Grave dhe vajzave (CEDAË). Përvec raportit zyrtar të Republikës së Shqipërisë CRCA dhe Koalicioni për Përgatitjen e Raporteve Alternative në Shqipëri kanë dorëzuar zyrtarisht pranë Komitetit për të Drejtat e Grave në Nju Jork Raportin Hije të shoqërisë civile për situatën në të cilën jetojnë gratë dhe vajzat në Shqipëri.

Shkarkoni raportin ne formatin PDF : Koalicioni per pergatitjen e raporteve alternative



Në këtë raport theksohet se Shqipëria në aspektin
legjislativ ka përmbushur disa prej rekomandimeve të Konventës por megjithatë
paragrafet në lidhje me barazinë gjinore në
shumicën e rasteve mbeten thjesht deklarata të thjeshta dhe ligjet shqiptare në
këtë fushë cedojnë në zbatim.


Sipas z. Altin Hazizaj, drejtor i CRCA, i cili ka redaktuar
këtë raport hije, “në aspektin ekonomik gratë
dhe vajzat shqiptare përballen ende me vështirësi të panumërta, sidomos përsa i
përket punësimit”, ndërkohë që një prej problemeve më të mëdha për to
mbetet ende dhuna.


“Shumë prej grave dhe vajzave akoma e konsiderojnë dhunën brenda
familjes si një cështje private për të cilën nuk kërkojnë ndihmë nga
autoritetet dhe u duket shumë e vështirë që për zgjidhjen e këtij problemi të
përfshijnë
strukturat e policisë, ndonëse shoqëria civile ka hartuar dhe ka lobuar për
miratimin e Ligjit kundër Dhunës në Familje”, tha Hazizaj.


Për herë të parë Shqipëria do të raportojë përmes Raportit Hije
të shoqërisë civile edhe në lidhje me situatën e grave dhe vajzave që i
përkasin pikërisht komunitetit LBT (lezbike, biseksuale dhe transgjinore). Kjo
duket të jetë një raportim tejet i vlefshëm për Komitetin e për të drejtat e
grave, meqë në raportin zyrtar të qeverisë mungojnë të dhënat mbi këtë grup.


Në Raportin Hije të përgatitur nga CRCA dhe Koalicioni për Përgatitjen
e Raporteve Alternative theksohet gjithashtu se diskriminimi prek në shumë raste
sidomos gratë e vajzat e grupeve më të
marxhinalizuara të shoqërisë, si të varfrit, gratë rome, gratë e privuara nga
liria dhe në konflikt me ligjin, si dhe gratë lezbike ato biseksuale dhe
sidomos pjesëtarët e komunitetit transgjinor.


Ndonëse ka një ligj kundër diskriminimit, që ende do duhet
parë se sa dhe si do zbatohet, komuniteti
LBT (lezbike, biseksuale dhe transgjinore) mbetet një prej grupeve më në risk dhe
më të diskriminuara në Shqipëri për shkak të orientimit seksual dhe/apo
identitetit gjinor.
 

Raporti veren probleme edhe në lidhje me edukimin. Sipas
shoqërisë civile, në zonat rurale vajzat
nën moshën 15 vjecare shume shpesh e braktisin shkollën për arsye të
mentalitetit, varfërisë apo arsyeve të tjera.


Një cështje tjetër serioze që vihet re në raport është edhe
trafikimi për qëllim shfrytëzimin seksual kryesisht të vajzave të reja. Ndonëse
nga viti 2001 deri më sot shifrat e identifikuara duket se janë në rënie, ky
problem vazhdon të jetë një plagë për shoqërinë shqiptare. Organizatat e
shoqërisë civile do të raportojnë fill pas raportit zyrtar të qeverisë pranë
OKB-së se trafikimi i qënieve njerëzore ka ndryshuar formën e tij por mbetet
ende present. Rezulton, sipas të dhënave të qëndrës “VATRA” se të paktën 57.5
përqind e viktimave të
trafikimit të identifikuara më parë janë ritrafikuar sërish për qëllime
shfrytëzimi. Ndërkohë, vihet re tendenca
e shfrytëzimit seksual të vajzave brenda vendit.   


Përsa i përket pjesëmarrjes në politikë, raporti nënvizon se
ndonëse në Parlamentin aktual ka 16 përqind deputete gra, pra 9 përqind më
shumë se në legjislaturën e kaluar, tentativat
e shoqërisë shqiptare për të patur të paktën 30 përqind deputete femra në
zgjedhjet e kaluara dështoi pasi kryetarët e partive zgjodhën të vendosnin
candidate femra në fund të listave të tyre zgjedhore.